Mandati i Xhaçkës/ Rama: Vendimi i pazbatueshëm. Kushtetuesja nuk mund të urdhërojë si votojnë deputetët!

Më të fundit


Për kryeministrin Edi Rama, Gjykata Kushtetuese dërgoi në parlament, një vendim të pazbatueshëm, lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Në emisionin “Real Story” në ABC News me gazetarin Sokol Balla, Rama u shpreh se mandati i Xhaçkës është gjykuar në Gjykatën Kushtetuese dhe se rasti i konfliktit të interesit, ka mbetur peng i një konflikti midis grupeve të opozitës.


Sipas kreut të qeverisë, nuk mund të urdhërohen deputetët sesi duhet të votojnë dhe shtoi se kjo nuk ka lidhje me reformën në drejtësi.

Pjesë nga intervista

Sokol Balla: Ju përmendët ushtrinë, përmendët elementë që mund të jenë në komandën e përgjithshme të ushtrisë, përmendët tradhtarë, njerëz që abuzojnë dhe përfitojnë në këtë luftë ku ju e keni future edhe PS, ajo që vura re unë z. kryeministër është që javën e shkuar, në rastin e interpretimit të çështjes së mandatit të deputetes Xhaçka, maxhoranca mbajti një qëndrim i cili u interpretua si refraktar përballë drejtësisë së re. Të enjten e kaluar pata në intervistë kryetarin e Bashkisë Tiranës dhe udhëheqësin politik të të gjithë qarkut të Tiranës, z.Erion Veliaj, i cili foli për pendulumin e drejtësisë i cili ka shkuar, pak lart dhe që do duhet të regjistrohet me kalimin e kohës.

Ka një riregjistrim edhe të maxhorancës, ndaj reformës në drejtësi dhe ndaj SPAK në veçanti?

Edi Rama: Edhe një herë që të jemi shumë të qartë se është shumë e rëndësishme. Nuk kanë asnjë lidhje fare këto gjëra me njëra tjetrën. Rasti i vendimit për të votuar në parlament nga shumica nuk ka të bëjë fare, zero me Olta Xhaçkën. Rasti i konfliktit të interesit është gjykuar në gjykatë kushtetuese dhe në fund ka mbetur peng i një konflikti midis dy opozitave a tre opozitave, a shtatë opozitave sa janë, që kanë çuar për të njëjtën gjë dy ankesa të ndryshme, dhe gjykata kushtetuese në një farë mënyre ka dashur që ti japë përgjigje edhe njërës edhe tjetrës dhe ka sjellë për parlamentin një vendim të pazbatueshëm.

Pse të pazbatueshëm?

Për një arsye shumë të thjeshtë. Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë ligjet që bën parlamenti për mos përputhje me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese nuk mund të urdhërojë se si votojnë deputetët, është e pamundur. Është teorikisht dhe teknikisht e pamundur. Sepse vota e çdo deputeti është sovrane.

Sokol Balla: Dakord, por ju jeni kryetar i maxhorancës, ju mund t’i udhëzoni ata se si të votojnë..

Edi Rama: Nuk ka lidhje kjo. Këtu flasim për një raport me shtetin.

Sokol Balla: Edhe unë për këtë ju pyeta, brenda mbështetjes që i keni dhënë reformës në drejtësi, mendoni se ka nevojë për axhustime?

Edi Rama: Nuk ka lidhje fare kjo me reformën në drejtësi, kjo ka lidhje me një vendim të gjykatës kushtetuese që është i pazbatueshëm dhe është bërë një përpjekje e pafundme nga të gjithë personat përgjegjës në parlament nga ana jonë për të konsultuar ekspertë, konstitucionalistë, për të konsultuar ekspertë të jashtëm, ndërkombëtarë, si ta zbatojmë këtë vendim. Sepse kur gjykata Kushtetuese merr pësipër të gjykojë një ligj që kalon parlamenti është në të drejtën e saj që të thotë ky ligj nuk përputhet me kushtetutën dhe nuk diskutohet që ti duhet ta zbatosh.

Por nëse Gjykata Kushtetuese, sjell një vendim në parlament që thotë ma ço mua këtë ti kështu siç e kërkoj unë, kjo është jashtë mundësive sepse parlamenti është pushtet sovran dhe nuk e detyron dot askush as Gjykata Kushtetuese se si duhet të votojë. Gjykata Kushtetuese gjykon patjetër nëse parlamenti voton në mënyrë të gabuar. Pra, nuk ka lidhje fare me personin.




Skip to toolbar