“Nuk jam dakord me letrat e Ramës për Bashën. Opozita kërkon viktima, por s’do ketë nga ne”

AKTUALITET


Zëvendëskryeministri, Erion Braçe ka thënë të mërkurën se nuk është dakord me letrat e Ramës drejtuar Bashës, pasi ai ka ngritur një mur zjarri dhe nuk pranon t’i flasësh.

“Nuk jam dakord që kur tjetri ngre mur me zjarr, të flasësh me të. Unë jam për zbatimin e Kushtetutës nga fillimi deri në fund”, u shpreh Braçe.


Këtë deklaratë Braçe e ka bërë në një intervistë mëngjesin e së mërkurës në A2CNN, ku gjithashtu tha se opozita po bën fushatë dhe jo protesta.

“Mos e shikoni si protestë atë të opozitës, por si fushatë. Ato turet që të kujtojnë vitet ’90 me karvanët e makinave… ai është stili i tyre. Vazhojnë me idenë e atëhershme. Flet për tatime, biznese, bujqësinë, pavarësisht se nuk i njeh fare (Lulzim Basha). E motivon partinë e tij me ato kapsolla dhe shashka.

Nuk ka qenë dëshira jonë që të shkojmë në zgjedhje vetëm, por e tyre. Ne jemi në të drejtën tonë kushtetuese që të vazhdojmë përpara. Në rast se zgjedhjet do të kenë standard, nuk më intereson se çfarë thonë të tjerët. Kush kërkon të paraqitet në zgjedhjet e tjera të vitit 2021, është i mirëpritur”, u shpreh Braçe.

Në lidhje me protestat e opozitës, Braçe deklaroi se është evidente që opozita kërkon viktima nga protestat, por theksoi se “nga ne nuk do ta ketë kurrë”.

“Policia shkon në vendin e shërbimit pa armë, monitorohet nga OSBE-ja dhe dokumentohet me pamje filmike sjellja e saj nga fillimi deri në fund. Kush kërkon viktimë nga ne, ta harrojnë, nuk do ta gjejnë. Nëse do të ketë viktima, këta do të jenë përgjegjësit. Thanë që policia qëlloi me plumb dhe plagosi protestuesin, doli që ishte predha e tyre. Thanë që i qëlloi policia me qytë, doli që ishte leva e tyre. Ne nuk kemi ndërmend të shkaktojmë viktima, janë në drejtën e tyre që ta kundërshtojnë qeverinë”, tha Braçe.




Skip to toolbar