Nxirren të pajetë trupat e dy personave në Thumanë, 21 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur

AKTUALITET


Drama e pasojave të tërmetit të së martës vijon duke u bërë dhe më e madhe. Mbrëmjen e të martës, në një nga pallatet e rrënuara, janë nxjerrë dy trupa të tjetër të pajetë. Ata mësohet se janë nënë e bir. Gjithashtu, në Durrës u bë nxjerrja edhe e trupit të një 24-vjeçari, duke shënuar në total 21 viktima, sipas shifrave të Ministrisë së Mbrojtjes. Operacioni i kërkimit arriti të nxjerrë dy trupat e pajetë pas shumë kërkimesh, ndërkohë që vijon puna për të shpëtuar të tjerë persona. Ndërkohë, të plagosurit janë mbi 600 persona.

Operacionet e shpëtimit vijojnë prej mëngjesit të së martës, ku më herët u bë i mundur nxjerrja e 18 trupave të tjerë të pajetë në Durrës dhe Thumanë. Ndërsa deri më tani, janë shpëtuar 45 persona të mbetur në rrënoja. Forcat shqiptare prej mesditës kanë dhe asistencën e trupave të ardhur nga vende të ndryshme, që së bashku po punojnë për të shpëtuar personat e mundshëm që janë gjallë, e njëkohësisht për të nxjerr trupat e pajetë të viktimave.


Ndërkohë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga spitali rajonal i Durrësit tha se po marrin shërbim nga 176 qytetarë në këtë spital, ndërkohë që numri total i të lënduarve ka arritur në 600 veta. “Kemi përforcuar ekipet e urgjencës, këtu në Durrës sapo kanë mbërritur ekipet e urgjencës nga Shkodra për të ndihmuar për përballimin e situatës.

Në spitalet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Kurbinit dhe Lezhës kanë marrë shërbim mbi 600 të lënduar si pasojë e tërmetit”, tha Manastirliu. Sipas saj, janë marrë masa për furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore dhe ekipi i urgjencës po organizon shërbimin në territor. Janë mbi 500 thirrje të përballuara nga Urgjenca Kombëtare, e cila ka kryer 120 misione me autoambulancë. Ekipet mjekësore aktualisht janë në gjendje gatishmërie të plotë në spitale.

Thumana dhe Durrësit janë dy zonat më të prekura nga tërmeti ku janë shënuar më shumë dëme materiale dhe njerëzore. Në Thumanë janë shembur 3 pallate, ndërkohë që ekipet e shpëtimit vijojnë me shpëtimin e personave që ndodhen nën rrënoja. Ndërsa në Fushë Krujë dhe Durrës, Forcat e Armatosura kanë nisur ndërtimin e çadrave për strehimin e familjeve të dëmtuara.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka ka shkuar në Shtabin e Emergjencave në Qendrën e Bashkuar Operacionale të Forcave të Armatosura. 400 efektivë të batalionit te xhenios, forcave komando, forcave speciale dhe Forcës Tokësore janë në terren në operacionet e kërkim shpëtimit dhe ngritjen e çadrave për strehimin e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar. Qendra e Bashkuar Operacionale është në funksion të plotë për koordinimin me strukturat vendore dhe ato qendrore.




Skip to toolbar