Shenja të një konfrontimi direkt mes fuqive bërthamore

BOTA


Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka deklaruar se Perëndimi po përgatit terrenin për konfrontim direkt mes fuqive bërthamore. Në një videomesazh me rastin e konferencës për mospërhapjen e armëve, mbajtur në Moskë, Lavrov ndër të tjera ka thënë se:

“Sot, SHBA dhe shtetet e tyre klientë në NATO po ëndërrojnë ende për një “humbje strategjike” të Rusisë dhe janë të gatshëm të vazhdojnë politikën e tyre të frenimit të vendit tonë deri në “ukrainasin e fundit”.


Në të njëjtën kohë, Perëndimi po balancon në skajin e rrezikshëm të një konfrontimi ushtarak direkt mes fuqive bërthamore, që do të kishte pasoja katastrofike”.

Lavrov i është referuar dekretit për mobilizim në Ukrainë që parashikon zgjatje të luftës dhe shpreh një koordinim strategjik mes Kievit dhe Perëndimit në përballjen kundër Rusisë. Dhe kjo nuk fshihet më. Kërcënimi rus është rivlerësuar shumë së fundmi në Perëndim si shenja e një kthese strategjike për vetë NATO-n.

Prej disa muajve tashmë, nuk ka ditë që të mos dalë në një media perëndimore ideja e armatosjes së vendeve aleate të NATO-s dhe kalimi i përgjegjësive të mbrojtjes konvencionale tek vendet europiane.

Megjithëse është ende herët për të parë një konfrontim të një shkalle të madhe, duhet thënë se në thuajse të gjitha vendet kryesore europiane ka nisur përpunimi i opinionit publik me idenë e luftës brenda këtij brezi. 

Nga ana e vet, Lavrov ka ripërsëritur qëndrimin rus se aktualisht botës i duhet një përmirësim i sistemit ndërkombëtar që të njohë multilateralizmin, barazinë dhe pandashmërinë e çështjeve të sigurisë.




Skip to toolbar