Shkarkohet për 3 muaj drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve

AKTUALITET


Është shkarkuar të mërkurën nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Elton Duro.

Duro mbante postin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve prej 27 marsit të këtij viti, ndërsa kishte zëvendësuar pak muaj më parë Vasilika Vjeron.


Kujtojmë se pak kohë më parë kryeministri Rama e kishte paralajmëruar shkarkimin jo vetëm të kreut të Tatimeve por edhe të atij të Doganave, pasi të dyve u kishte lënë 1 muaj afat për të sjellë ndryshime në këto institucione.

Pikërisht më 3 prill, kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erjon Braçe zhvilluan një mbledhje me drejtorin e Tatimeve Elton Duro, si dhe me drejtuesin e ri të Doganave, Arlind Gjokutaj.

Mbledhja ka qenë me tone të ashpra, ku kreu i qeverisë e ka bërë të qartë se nuk do të tolerojë askënd në rast se nuk realizohen objektivat. Në atë kohë, drejtuesve të rinj iu la një muaj kohë për të treguar rezultatet. Por pas 3 muajsh është marrë tashmë vendimi për shkarkimin e drejtorit të Tatimeve. Drejtoria e Tatimeve ka ndërruar deri tani 3 drejtorë të Përgjithshëm që nga vitit 2013, kur qeveria e majtë erdhi në pushtet. E para ka qenë Briseida Shehaj, më tej Vasilika Vjero dhe i fundit Enton Duro. Pritet emërimi i drejtuesit të ri.




Skip to toolbar