Komisioneri publik ankimon vendimin e KPK, kreu i Administratives ende në veting

Komisioneri Publik ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, vendimin e dhënë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarin Kastriot Selita.

Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kaloi fazën e parë të vetingut në KPK, por ky vendim u ankimua nga vëzhguesit ndërkombëtarë ONM dhe Komisioneri Publik duke dorëzuar dosjen e tyre në KPA. Në animimin e tyre thuhet se vlerësimi për Kastriot Selitën nuk ishte i plotë dhe si i tillë nuk mjafton për t’u konfirmuar në detyrë.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit nuk është i plotë, duke u konsideruar si i tillë, i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Kastriot Selita. Mbështetur dhe në rekomandimin e Komisionit prej tre vëzhguesish ndërkombëtarë të ONM-së, për të ankimuar vendimin nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik, nëpërmjet këtij ankimi, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të gjykojë mbi të tria kriteret e rivlerësimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të këtij ankimi, në varësi të rezultateve të hetimit gjyqësor, të vendosë ndryshimin ose lënien në fuqi të vendimit të lartpërmendur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit” thuhet në njoftimin e Komisionerit.

Selita kaloi fazën e parë të vetingut në KPK me trupën gjykuese të kryesuar nga Olsi Komici kryesues, relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Gjatë rivlerësimit të tij, vëzhguesit ndërkombëtar Hans Kijlstra, nuk u bind te pastërtia e Selitës duke kërkuar ankimimin e vendimit në KPA.

ONM kundër KPK për gjyqtarin Selita, kërkon rivlerësim

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar ankimin e vendimit të KPK për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit Kastriot Selita. Ai kaloi Vettingun nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por ONM nuk është dakord me këtë vendim të KPK-së për Selitën.

Në këto kusthe, vëzhguesi ndërkombëtar ka kërkuar nga Komisioneri Publik, që të apelojë Vettingun për kreun e Gjykatës Administrative të Apelit. Kastriot Selita kaloi Vettingun në datën 18 qershor, pasi KPK vendosi ta konfirmonte në detyrë.

Ky vendim për Kastriot Selitën i është komunikuar Komisionerit Publik këtë të mërkurë në datë të 24 korrikut. Menjëherë pas këtij njoftimi, ka qenë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që i ka paraqitur Komisionerit Publik rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të KPK në Kolegin e Posaçëm të Apelimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Skip to toolbar