Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi ka folur për sulmet reale që janë bërë ndaj kryetarit të KQZ në 1997 Kristaq Kume. Klosi tha se në atë periudhë, ndaj Kumes janë bërë dy atentate për ta përplasur me makina të mëdha. “Sigurisht që qëllimi nuk ishte ta vrisnin, por ta frikësonin” – tha Klosi, i cili në atë periudhë ka qenë ish-nënkryetari i KQZ. Këto atentate tha Klosi, bën që Kume të kërkoj pasaporta diplomatike për familjarët e tij për shkak se ndihej i kërcënuar me jetë. Klosi madje shtoi se e dinte shumë mirë se nga vinin këto kërcënime.
“Dy herë i kanë bërë atentat Kristaq Kumes, si kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 1997-s, e kanë përplasur dy herë me makinë. Më pas Kristaqi u detyrua të kërkojë pasaportë diplomatike për fëmijët dhe familjen. Unë në atë kohë kam qenë nënkryetar i KQZ-së dhe e di shumë mirë këtë punë se nga i vinin kërcënimet. Kam shkuar unë te Bashkim Fino, ku i kemi kërkuar pasaportë diplomatike për familjen e Kumes. U aksidentua dy herë, me fuoristrada të mëdha, goditën makinën e kryetarit të KQZ-së me makina të rënda. I prisnin rrugën natën, kur ai shkonte për në shtëpi. Kuptohet se nuk ishte qëllimi për ta vrarë, por për ta trembur, sepse ishte ideja se Kristaqi nuk ishte shumë konsekuent në luftën që po bënte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por Kristaqi nuk kishte se çfarë të bënte, zbatonte ligjin, por ne kishim shumicën dhe ai nuk ndikonte dot në vendimmarrje.” – tha Klosi në një intervistë për Panoramën.
Akuzat e ish-kryeministri Berisha se ai kishte urdhëruar të sulmonin banesën e tij me bombë, Klosi i quajti sajesa absurde. Ish kreu i SHISH tha se kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë dhe se nuk mban mend që Berisha të jetë kërcënuar ndonjëherë, përveç një rasti gjatë fushatës zgjedhore në Sukth të Durrësit. Klosi tha se kjo ka ndodhur gjatë fushatës zgjedhore të 1996, dhe është një rast publik që dihet nga të gjithë.
“Të gjithë e dinë se gjatë fushatës elektorale të 1996-s, kur Berisha ishte President, në kohën që ai ishte duke folur në një miting elektoral në një fshat të Sukthit, dikush që ishte prezent iu afrua dhe hodhi një bombë, e cila nuk shpërtheu. U bë një gjurulldi e vogël, personin e kapën. Këtë rast mbaj mend t’i ketë ndodhur Berishës, jo ndonjë rast tjetër.”- tha Klosi, i cili shtoi se çdo kërcënim tjetër që Berisha nxjerr nga goja i ka sajesa të çmendura që nuk meritojnë as përgjigje.
“Ky njeri nuk heq dorë nga çmenduritë e tij. Nuk meriton asnjë përgjigje, janë absurde këto që nxjerr nga goja. Kjo që thotë ai, se unë kam vënë një njeri që t’i hidhnin atij bombë, më bën vetëm të qesh me çmendurinë e tij. Nuk hoqi dorë nga këto sajesa. Unë kisha detyrë të mbroja Berishën gjatë kohës që kam qenë në krye të SHISH-it dhe pse ai ishte kryetar i opozitës. Pastaj, Berisha kishte roje të panumërta dhe s’bënte vaki të ndodhte një sulm i tillë. Nuk i afroheshe dot Berishës si President.” – tha Klosi
Klosi foli edhe për masën e marrë ndaj kreu të KQZ, Klement Zgurit duke e cilësuar atë si të nevojshme, pasi ka njerëz të çekuilibruar që kërkojnë të bëjnë protagonistin duke përmendur edhe rastin e Fatos Lubonjës. “Fatosi për mua duhet të kërkojë ndihmë në Polici, sepse Fatos Lubonja është dikush, është person publik dhe nëse kërkon mbrojtje, Policia duhet t’ia japë mbrojtjen.”