Zaloshnja: Pa koalicion, s’ka rrotacion

Më të fundit


Nga Eduard Zaloshnja

Duket se Rama po bazohet në një logjikë fare të thjeshtë arithmetike, teksa po punon fort që në zgjedhjet e ardhshme, partitë të garojnë më vete, e jo me koalicione parazgjedhore. Ai do që të përsëritet një skenar i ngjashëm me të zgjedhjeve të 2017-ës, kur marrveshja Rama-Basha i mbylli rrugët legale për krijimin e koalicioneve parazgjedhore.

Në ato zgjedhje,  PS-ja siguroi 74 mandate parlamentare, edhe pse mori vetëm 48% të votës popullore. Kjo, ngaqë partitë opozitare nuk mund t’i mblidhnin votat së bashku në një thes të madh parazgjedhor.

Në qoftë se partitë kryesore opozitare (PD, LSI, PDIU, PR etj) do të kishin qenë në një koalicion parazgjedhor, një mbledhje mekanike e votave të tyre do të kishte regjistruar gjithsej 790 mijë vota për koalicionin. Nga ana tjetër, një mbledhje mekanike e votave të PS-së me partitë e afërta me të (PSD e PDS) do të regjistronte gjithsej 780 mijë vota për koalicionin e PS-së.

Pikërisht këto llogari të thjeshta arithmetike tregojnë se një garë me koalicione parazgjedhore në zgjedhjet e ardhshme nuk do të jepte garancinë për një mandat të tretë kryeministror të Ramës. Dhe prandaj ai po punon fort që opozita të mos futet e bashkuar në zgjedhje.

Duke e ditur se PS-ja, si parti më vete, e fillon garën me një epërsi gjigande paraprake ndaj partive të tjera (në 2017-ën, mori 310 mijë vota më shumë se PD-ja dhe 540 mijë vota më shumë se LSI-ja), Rama e ka të sigurt mandatimin për formimin e qeverisë, në qoftë se partitë e tjera kryesore nuk zyrtarizojnë një koalicion parazgjedhor (në bazë të Kushtetutës, partia me më shumë deputetë ka të drejtën e formimit të qeverisë, kur partitë e tjera nuk kanë krijuar koalicion parazgjedhor). Dhe një mandatim i Ramës për formimin e qeverisë, i hap atij rrugën për të peshkuar ndër deputetë opozitarë apo të pavarur, nëse do t’i duhet vota e tyre.

Në qoftë se nuk arrin të bëjë ndryshime kushtetuese për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, Rama do të mundohet të joshë LSI-në që të mos regjistrohet në koalicion parazgjedhor me PD-në, por të krijojë një pol të tretë me partitë e vogla opozitare. Kjo, që votat e koalicionit të madh opozitar të ndahen në dy pjesë. Dhe në qoftë se nuk arrin ta joshë LSI-në, mund të përpiqet të joshë PDIU-në, që të krijojë polin e tretë me partitë e tjera të vogla opozitare. Dhe në fund fare, do të shpresojë të marrë 71 mandate me PSD-në dhe PDS-në përballë koalicionit të madh opozitar.

Por shpresat e Ramës nuk mbarojnë këtu. Partitë e reja që po krijohen mund të arrijnë t’i pengojnë të dyja koalicionet e mëdha të arrijnë kuotën e 71 mandateve paralmentare. Në këtë rast, në qoftë se koalicioni i Ramës del i pari, ai mund ta krijojë qeverinë duke futur në të ndonjë nga krerët e partive të reja ose të partive të vogla të vjetra të koalicionit opozitar (siç bëri Berisha me Xhuvelin pas zgjedhjeve të 2005-ës).

Në fakt, të gjitha këto alternative janë testuar në formë tullumbacesh publike nga njerëz apo portale të afërta me Ramën. Madje edhe ideja e një qeverie të madhe PS-PD pas zgjedhjeve ka qarkulluar, me shpresën e ringjalljes së paranojave tek aleatët aktualë të PD-së.

Sidoqoftë, pavarsisht taktikave paraelektorale që po përdor Rama, kushdo që pret rrotacionin, një gjë duhet ta ketë të qartë: Pa koalicion parazgjedhor të të gjitha partive opozitare, nuk nuk ka gjasa të ketë rrotacion, pavarsisht identifikimit biometrik apo KQZ-së së balancuar… 



Skip to toolbar