“Venecia” publikon raportin për “Antishpifjen”, Rama: T’i adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera

AKTUALITET


Komisioni i Venecias publikoi sot raportin përfundimtar për paketën Antishpifje, të hartuar nga Qeveria shqiptare.

Në konkluzionet e “Venecias” thuhet se “Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet të mbështesin krijimin e një organi rregullues të pavarur funksionues dhe të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe të respektuar për të vlerësuar përgjegjshmërinë e mediave online”.


Komisioni i Venecias e sheh gjithashtu të nevojshme që të sigurohen që mjetet juridike dhe gjyqësore ekzistuese janë efektive në adresimin e shpifjes dhe urrejtjes në botimet në internet.

Në lidhje me kompetencat që i shtohen Autoritetit të Mediave Audio Vizive, Komisioni sugjeron që përpara se të ndodhë një gjë e tillë “është e nevojshme të rishikoni përbërjen e këtyre organeve, në mënyrë që të siguroni autonominë e tyre nga qeveria dhe kontrolli i korporatave për të forcuar profesionalizmin e tyre”.

Në raport thuhet se media online duhet të përfitojë nga procesi dhe çdo vendim administrativ duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi të plotë gjyqësor, dhe sanksionet duhet të jenë proporcionale.

Menjëherë pas raportit ka reaguar edhe Kryeministri Rama.

“Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi “Antishpifjen”!Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t’u mbrojtur nga Shpifja,si dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit”, shkruan Kryeministri në Twitter




Skip to toolbar