Ambasadori gjerman: Palët të ulen në tryezë. Zgjidhja të vijë nga brenda

AKTUALITET


“Palët të ulen në tryezë, zgjidhja e krizës të vijë nga brenda”. Ky është apeli i bërë të martën nga ambasadori gjerman Peter Zingraf gjatë konferencës për nisjen e aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë “Tetorit Gjerman”.

Ambasadori gjerman tha qartë se zgjidhja e krizës politike në vend duhet arrihet përmes dialogut politik mes palëve, ndërsa shtoi se Gjermania është këtu për të dhënë mbështetje teknike.


“Jam i bindur që zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga vetë politika. Nuk e shikoj Gjermaninë si një lloj ndërmjetësi. Kemi folur me përfaqësues të partive politike, kemi ofruar mbështetjen tonë teknike, edhe për reformën zgjedhore. Të gjitha partitë të ulen bashkë. Një ekspert gjerman ka bashkëpunuar duke vendosur në tavolinë një draft mbi të cilin mund të vazhdohet të punohet për sa i përket reformës.”-vijoi më tej Zingraf.

Lidhur me vendimin e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE, Zingraf tha se ky vendim është një shenjë pozitive për Shqipërinë, ndërsa sqaroi se kushtet e Gjermanisë nuk janë për çeljen e negociatave por janë për një etapë të mëvonshme.

 “Reformat e ndërmarra nga Shqipëria në jetën politike dhe sociale duhet të shkojnë më thellë.

Bundestagu gjerman dha një ‘po’ për Shqipërinë, ai luan një rol të fuqishëm dhe qeverisë federale i nevojitet ky vendim i Bundestagut gjerman. Kjo është një dëshmi se Shqipëria do të pranohet në Bashkimin Europian. Bundestagu ka formuluar disa kushte që disa duhet të përmbushen në fazën e parë dhe të tjerat në fazën e dytë”, u shpreh Zingraf.

Bundestagu gjerman votoi pro çeljes së negociatave me Shqipërinë, pak ditë më herët. Ky vendim u lexua si një mesazh pozitiv që do të ndikojë edhe tek shtetet e tjera skeptike të BE-së. Media prestigjioze Bloomberg në një artikull të së hënës shkruante se kishte parë një draft paraprak të Këshillit të Ministrave të BE ku shkruhej se do të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut./realstory.al




Skip to toolbar