Gara me shpejtësi dhe të dehur në timon, pranga 26 shoferëve në Tiranë

AKTUALITET


Gjatë javës së fundit Policia Rrugore në Tiranë ka vënë 26 shoferë në pranga ndërsa ka pezulluar 111 patenta dhe ka vendosur mbi 2050 gjoba.

Shkak për këto masa janë bërë shkelja e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve. Në disa raste janë kapur duke bërë gara dhe duke ecur në limitet e shpejtësisë, ndërsa të tjerët për shkak të parkimeve të gabuara dhe përdorimit të alkoolit në timon.


“Kontrollet e shtuara janë fokusuar në drejtim të parkimeve të gabuara, sjelljeve në raport me sinjalizimin rrugor horizontal dhe vertikal, garave me shpejtësi, drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, shpejtësisë mbi normat e lejuara etj.

Në funksion të detyrave të percaktuara në Planet e Veprimit, janë kapur në kushtet e flagrancës 26 drejtues mjetesh, nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 17 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për trafikim të mjeteve motorike.

Janë pezulluar 111 leje drejtimi, nga të cilat 33 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 42 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 36 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Janë proceduar administrativisht 25 drejtues mjetesh për gara me shpejtesi, 6 prej të cilëve u është bllokuar automjeti, pasi dyshohet për ndërhyrje dhe modifikime në sistemin e zhurmëshkarkuesit.

Përgjatë javës janë proceduar administrativisht 1 767 drejtues mjetesh, për qëndrim dhe pushim të mjeteve në kundërshtim me sinjalizimin rrugor.

Si dhe janë vendosur 2 050 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, nga këto 289 masa si rezultat i raportimit të qytetarëve në Komisariatin Dixhital dhe 74 masa nga raportimet në numrin 112”, njofton policia.

Policia Rrugore e Tiranës, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo shkelje të kodit rrugor.




Skip to toolbar