Të enjten do të luhet ndeshja e parafundit në grup për kualifikueset e Euro 2020 mes Shqipërisë dhe Andorrës. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa deri më tani numri i tifozëve që do të jenë të pranishëm mbetet i ulët. Megjithatë, policia e Elbasanit merr masa për të parandaluar çdo situatë problematike. Sipas një njoftimi zyrtar, mësohet se të enjten do të bllokohen disa rrugë në qytetin e Elbasanit.
“Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini”, nga kryqëzimi i bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Aqif Pasha” dhe bulevardin “Qemal Stafa”, pasi krahu i djathtë i stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të ndryshëm që vijnë të organizuar me tifozë”.
“Vendparkimet e mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vendparkimet me autorizim do të jenë para sheshit të stadiumit. Bulevardi “Qemal Stafa” dhe unaza e qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve. Rrugë-kalimi nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin rajonal Elbasan do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, policia do të mbyllë disa lokale që ndodhen pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ndërsa për sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes do të angazhohen punonjës policie nga Drejtoria e Policisë Elbasan si dhe komisariatetet e tjera. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë, kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe (të çfarëdolloji) monedha apo metale (të çfarëdolloji) çelësa të ndryshëm.