“Nuk dua t’i mbaj lotët”, emocionon Balluku: Të ngrihemi si Feniksi

AKTUALITET


Një fjalim emocionues që mori disa herë duartrokitjet e kolegëve ishte ai i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e cila foli me detaje për tragjedinë njerëzore që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit dhe bëri thirrje për bashkimin e politikës për të shëruar shpirtin e kombit dhe për t’u ringritur si Feniksi. Balluku e prekur dhe mes lotësh theksoi fort se sot nuk është koha që të gjejmë fajtorët dhe të drejtojmë akuza, por të bëhemi bashkë për të ndërtuar vendin. Ajo i ktheu përgjigje akuzave se shteti nuk reagoi siç duhet, ndërsa tha se të gjithë ministrat ishin në terren që në orën 5 të mëngjesit. Balluku vlerësoi lart punën e bërë nga ekipet shqiptare nga zjarrfikësit shqiptarë dhe nga policët shqiptarë ndërsa nuk harroi të falënderonte edhe ekipet ndërkombëtare që dhanë ndihmën e tyre.

“Nuk kam dëshirë  t’i mbajë lotët në këtë momente, por do i mbaj për të vazhduar fjalimin. Ky duhet të ishte një fjalim zyrtar, por mjaft me shifra se ato i ka dhënë media me kohë. Sot duhet të flasim dhe të përgëzojmë ekipet që punuan aty dhe dëgjuan çdo klithmë që vinte nga rrënojat dhe punuan për të nxjerrë gjallë çdo frymë.


Kanë qenë zjarrfikësit tani, ka qenë policia e shtetit që kanë qëndruar në krah të Sandër Lleshajt dhe Erion Braçes, për të dhënë ndihmën në rrënoja. Të cilët punuan për të nxjerrë edhe frymën e gjallë të fundit. Nuk pritëm orën 7.30, por që në 5 të mëngjesit kemi qenë aty. Nuk ishim si ministra, ishim si qytetarë të republikës.

Shteti ka qenë në këmbë. Ekipet tona reaguan shumë shpejt. Shteti ka reaguar si kurrë më parë. Ne nuk hahemi dot me Zotin dhe me fatkeqësitë natyrore. Askush nuk ka të drejtë të merret me detajet kur fatkeqësia nuk ka mbaruar. Asnjë ndërtesë nuk do të shembet pa u hetuar çdo rrënojë për t’i krijuar mundësinë prokurorisë dhe policisë së shtetit dhe për t’i dhënë dënimin e merituar kujtdo që e meriton”, tha Balluku, ndërsa i ktheu përgjigje dhe akuzave të opozitës.

“Nëse ka patur një person që ka bërë luftë kundër ndërtimeve pa leje dhe ndërtimeve abuzive ai është Edi Rama. Është e lehtë të kërkoni fajtorë sot, por pikërisht sot është koha që të gjithë së bashku të ngrihemi nga hiri si Feniksi. Ne shqiptarët jemi ngritur shumë herë, por këtë nuk mund ta bëjmë duke gjetur fajtorë por duke u bashkuar. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë këtu për të rindërtuar shpirtin e Shqipërisë. Na është goditur shpirti të gjithëve bashkë”, tha Balluku.




Skip to toolbar