Lajm i madh për futbollin kosovar, UEFA merr vendimin e rëndësishëm!

Duke nisur nga viti i ardhshëm Kosova do të ketë mundësi të përfaqësohet me tre klube në kupat e Europës. Lajmin e ka dhënë Federata e Futbollit të Kosovës, e cila me anë të një komunikate publike, ka njoftuar klubet anëtare të saj se vendimi për pjesëmarrjen e tre klubeve kosovare në kupat e Europës është marrë gjatë takimit dyditor që UEFA po zhvillon me federatat anëtare në Budabest.

“Në fakt, UEFA, pas kërkesës së vazhdueshme të krerëve të FFK-së ka pranuar që tani e tutje Kosova në garat evropiane të përfaqësohet me tri klube. Edhe pse realisht ende nuk është arritur koeficienti i kërkuar për më shumë skuadra pjesëmarrëse, pas takimit të sotëm që presidenti Ademi dhe sekretari i përgjithshëm Salihu patën me përfaqësuesit e UEFA-s, këta të fundit kanë pranuar që ta shpërblejnë FFK-në me një klub më shumë në garat evropiane”.

“Kësisoj, që nga edicioni i ardhshëm nga kampionati i Kosovës pjesëmarrjen në garat evropiane do ta sigurojnë kampioni, nënkampioni dhe fituesi i kupës. Pa dyshim ky është një lajm i shumëpritur dhe i cili do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e konkurrencës në elitën e futbollit tonë dhe njëherësh do të rrisë edhe nivelin e organizimit në Superligë”.

Foto tronditëse të dhunës seksuale gjatë gjenocidit serb

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina ka bërë publike gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës disa foto që tregojnë dhunën seksuale që është ushtruar gjatë gjenocidit serb. Në foto tregohet një grua ndërsa përdhunohet në sy të familjarëve të saj, të cilat kërcënohen me armë në kokë. Brovina tha se kjo grua është ende gjallë sot dhe është e gatshme të dëshmojë.

“Rasti në fjalë është një fotografi e gjetur ne aparatin e një ushtari serb që dëshmon aktin dhe mënyrën se si i kanë dhunuar gratë. Kjo është vetëm njëra nga mënyrat kur i kanë detyruar familjarët që ta shohin aktin e dhunës seksuale. Ka shumë raste kur gratë janë mbledhur për tu dhunuar sistematikisht nga ushtarët serb” – tha Brovina

Diplomatja krah Trump, Çitaku: E njoha me sfidat që përballet Kosova (foto)

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka qenë e ftuar në darkën e iftarit të shtruar nga kreu i “Shtëpisë së Bardhë”, Donald Trump, një ditë më parë. Diplomatja kosovare ka publikuar disa foto në faqen e saj në Facebook, ku shihet e ulur pranë Trump.

Në komentin e fotove ndër të tjera ajo shkruan se e ka njohur Presidentin e SHBA-së me sfidat që përballet dhe nevojën e përfshirjes direkte të Shteteve të Bashkuara në proceset që është përfshirë shteti i ri i Kosovës.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në darkën e iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë të isha e ulur përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkura të Amerikës, Z. Donald J. Trump”.

“Presidentit Trump i tregova se në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve”.

“Poashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri”.

“Në darkë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të administratës Amerikane, Zv Presidenti Pence, Sekretari i Mbrojtjes Shanahan, Sekretari i Thesarit Mnuchin, Ambasadorë, etj”, shkruan diplomatja e Kosovës në Wanshington.

Thaçi tregon se e kujt ishte ideja e korrigjimit të kufijve

Është folur gjatë dhe hedhur akuza të ndryshme lidhur me korrigjimin e kufijve të Kosovës, por duket se Presidenti Hashim Thaçi e ka sqaruar këtë gjë njëherë e mirë se kush ishte iniciatori i saj.

Thaçi tha në “Opinion” ku ishte i ftuar se ideja ka lindur që në 1990 dhe që absolutisht nuk ka të bëjë me Vuçiç.

“Është qesharake të mendohet se ideja për përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit brenda Kosovës të jetë e Vuçiç, apo të jetë e ndokujt tjetër. Të gjitha takimet e mia me liderët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit janë të regjistruar. Edhe ata janë në favor të një korrigjimi. Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike është e imja personale, jam angazhuar edhe në Berlin edhe sot në këtë Samit në Tiranë. Të thuhet se Vuçiç është ideator është naivitet. Dallimi në mes shkëmbimit të territoreve që ka qenë ide e liderëve të caktuara shqiptarë dhe idesë sime për korrigjim ka dallim shumë të madh. Kurrë nuk kam pranuar shkëmbimin e territoreve. Kjo ide lindi nga një bashkëbisedim, në zyrën time. Ideja ka lindur herët, që në vitet 1990 për të bashkuar Bujanov, Preshevë dhe Medvegjë.” – tha Thaçi

Lë Zvicrën për Kosovën, mbrojtësi pajiset me pasaportën “Dardane”

Një tjetër talent shqiptar ka vendosur të luajë për përfaqësuesen e Kosovës, duke i dhënë fund aludimeve. Fjala është për talentin Florent Hadërgjonaj, i cili ka pranuar të përfaqësojë “Dardanët” në nivele ndërkombëtare.

Futbollisti, që aktualisht aktivizohet me Huddersfield në Angli, gjatë ditës së sotme është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës, duke u bërë gati për portierin Challandes për ndeshjet e muajit qershor.

Pasaporta e Kosovës, Hadërgjonajt i është dorëzuar nga Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e ka përgëzuar dhe falënderuar për vendimin e marrë që kontributin e tij tash e tutje ta japë në fanellën e Kosovës.

Mbrojtësi 24-vjeçar tashmë është në dispozicion të përzgjedhësit Bernard Challandes dhe pa dyshim do të jetë një armë shumë e fortë në repartin e mbrojtjes për ndeshjet e ardhshme të ciklit kualifikues për Euro 2020.

Florenti deri tani ka luajtur me të gjitha ekipet e grupmoshave të Kombëtares së Zvicrës, por në fund vendosi me zemër që t’i bashkohet ekipit të Dardanëve, fanellë të cilën e ndjenë më shumë dhe aty ku emocionet janë të papërshkrueshme.

Florent Hadërgjonaj në këtë edicion të Premier Ligës ka luajtur në 24 ndeshje me Huddersfieldin, 19 prej të cilave ka qenë titullar, derisa në fushën e gjelbër i ka kaluar 1840 minuta.

Deklarata e fortë e Vuçiç: S’do ta njoh Kosovën edhe sikur të vritem

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një intervistë për agjencinë e lajmeve Tanjug, ka deklaruar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës edhe sikur të vritet.

 “Mund të më vrisni, por ajo nuk do të ndodhë. Ju them, anglezëve dhe gjermanëve se nuk do ta bëjë atë. Më goditni, por unë s’do ta bëj. Mund të jem president edhe për 15 vjet, por nuk e njoh Kosovën” deklaroi ai.

Një deklaratë e tillë e Vuçiçit vjen pikërisht sot kur ai pritet të vijë në Tiranë për të marrë pjesë në samitin Brdo-Brione, ku marrin pjesë liderët e Rajonit.

Aleatët e Bashës trokasin në zyrën e Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim krerët e partive aleate të PD-së, si Fatmir Mediun, Nard Ndokën, Agron Dukën e Vangjel Dulen. Ka qenë vetë kryeministri i Kosovës ai që ka bërë të ditur këtë takim duke postuar foto në facebook dhe një mesazh se “është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike”.

Postimi i plotë:

“Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i frytshëm dhe në këtë aspekt, dialogu midis tyre vazhdon të jetë i hapur.

Në kontekst të këtij dialogu, prita sot në takim Kryetarët e partive opozitare Fatmir Mediun, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule me të cilët u dakorduam se bashkërendimi i qëndrimeve është në interes të dy shteteve dhe qytetarëve tanë.

Është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike.”, shkruan Haradinaj.

Nuk dihet ende pse krerët e partive të vogla në kulmin e krizës politikë në Shqipëri, kanë shkuar në Kosovë për t’u takuar me Haradinajn. Po kështu kujtojmë se ditët e fundit Haradinaj ka pasur përplasje me kryeministrin Rama për shkak të qëndrimit të Samitin e Berlinit për çështjen e taksës së Kosovës për mallrat serbe.

Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Dimanche 5 mai 2019

Haradinaj jep lajmin e mirë për Kosovën: Urime për liberalizimin

Megjithëse ende nuk ka një vendim zyrtar, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar shtetasit e tij për liberalizimin e vizave. “Urime për liberalizimin!” Kështu u shpreh Haradinaj në Kosovë pas samitit të Berlinit duke deklaruar se Gjermania mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ministri i punës së Brendshme Seehofer ka thënë “po” menjëherë. Ky është qëndrimi gjerman, madje ai caktoi personat në mënyrë që kur të merret vendimi mos të humbet kohë”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa tha se po vijon edhe pa heqjen e taksës. Duke sjellë në vëmendje takimin bilateral mes dy vendeve në Paris me 1 dhe 2 korrik, Haradinaj nënvizoi se aty do të shkojë për njohje reciproke dhe jo për ndryshime kufijsh.

Thaçi për Der Spiegel: Nuk lejoj tregti kufijsh. Ja çfarë kërkoj për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpjeguar dhe njëherë me detaje propozimin e tij për Kosovën, ndërsa ka thënë në një intervistë për gazetën gjermane, Der Spiegel, se ideja e tij është keqkuptuar. Ai ka theksuar se nuk do të lejojë kurrë shkëmbim territoresh, ndryshim kufijsh, tregti me to apo krijimin e një republike Srpska si në Bosnje. Thaçi edhe njëherë ka shpjeguar idenë e tij sesi do të bashkohen me Kosovën krahinat me shumicë shqiptare si Lugina e Preshevës, Bujanovski dhe Medvegja, ndërsa ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të pranojë krimet e luftës.

Intervista në gazetën gjermane Der Spiegel:

Der SPIEGEL: Z. President kishte shpresa të mëdha në Samitin e Ballkanit Perëndimor, por rezultati nuk është edhe aq i kënaqshëm, nuk pati asgjë më shumë se një deklarim të paqartë që të rifillojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës. A jeni i zhgënjyer?

Hashim Thaçi: Nuk kam pasur pritshmëri të mëdha për këtë Samit, por e vlerësoj lartë nismën dhe përkushtimin personal të kancelares Merkel dhe presidentit Macron dhe shpresoj që ne do të arrijmë rezultatet e para të prekshme në Samitin e ardhshëm.

Der SPIEGEL: Me qëllim të vendosjes së një paqeje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë, u diskutua kohët e fundit edhe një shkëmbim territorial: pjesa veriore me shumicë serbe t’i takojë Beogradit, dhe Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës, e banuar nga shqiptarët. Çfarë mendoni ju për këtë?

Hashim Thaçi: Ka pasur shumë keqkuptime. Ne nuk do të pranojmë ndonjë shkëmbim territorial. Unë nuk lejoj ndonjë tregti të tillë. Ne gjithashtu nuk duam që në Kosovë të ketë një Republika Srpska të dytë, dmth. si në Bosnjë, një pjesë të kontrolluar nga Serbia. Kjo mund të ndodhë nëse ne në një farë mënyre i japim veriut një status të veçantë. Kosova është shtet multietnik. Prandaj, nuk do të ketë demarkacione sipas kritereve etnike.

Der SPIEGEL: I ashtuquajturi shkëmbim i tokave nuk qëndron për ju më. Çfarë doni atëherë?

Hashim Thaçi: Kjo kurrë nuk ka qenë ide e imja, por ashtu disi u krijua. Sidoqoftë, unë do të doja që zonat e banuara me popullatë shqiptare në Luginën e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës të jenë më afër Kosovës, përmes kufijve të hapura, por pa ndryshuar kufijtë, madje as një centimetër. Atje shqiptarët diskriminohen nga serbët.

Der SPIEGEL: A besoni me të vërtetë që Beogradi do t’ju lërë këto zona?

Hashim Thaçi: Unë po flas nga një perspektivë evropiane: nëse Serbia dhe Kosova do të bëhen anëtare të BE-së, atëherë një bashkim i tillë do të ishte e mundur. Serbia duhet ta njohë Kosovën më në fund. Dhe unë kërkoj nga Serbia që ta pranojë gjenocidin e bërë ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Der SPIEGEL: Çfarë koncesionesh është Prishtina e gatshme t’i bëj Serbisë, në veri p.sh.?

Hashim Thaçi: Zero! Pse duhet ta bëjmë këtë? Serbët në veri janë qytetarë të Kosovës me të gjitha të drejtat.

Der SPIEGEL:  Përfaqësuesja e BE-së për punë të jashtme, Federica Mogherini ishte shprehur për një shkëmbim territorial dhe nga administrata Trump mori sinjale inkurajuese.

Hashim Thaçi: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Anglia dhe Italia gjithmonë kanë qenë të pajtimit që nuk duhet të ketë ndryshime të kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor. Tani ata si duket nuk flasin më me një zë. Kjo është e keqe. Një marrëveshje e qëndrueshme ka vetëm atëherë bazë të shëndoshë nëse të gjithë edhe SHBA-të qëndrojnë prapa saj. Sepse sot, serbët dhe kosovarët i ndanë një lumë i tërë prej gjaku.

Der SPIEGEL: A mendoni se debati i ri mbi kufijtë përgjatë vendbanimeve etnike ka dëmtuar më shumë paqen midis shqiptarëve dhe serbëve?

Hashim Thaçi: Urrejtja historike është shumë e thellë. Bëmë shumë përpjekje për pajtim, kemi një komision për pajtim, kam vizituar komunat serbe. Por në muajt e fundit, shumë vende kanë mposhtur këto përpjekje, duke ngritur debatin për këmbimet territoriale.

Der SPIEGEL: Sa realiste është që Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen BE-së në të ardhmen e parashikueshme? BE-ja është lodhur nga zgjerimi, një nacionalizëm i ri po përhapet.

Hashim Thaçi: E vetmja e ardhme e mundshme për ne është Bashkimi Evropian. Dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Por në fakt, edhe ne e kemi të vështirë të besojmë në të. Qytetarët kosovarë ende kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë. Liria e lëvizjes ende nuk vlen për ne, edhe pse tashmë që dy vjet i kemi plotësuar kushtet. Ne nuk duam dhurata, por duam respekt për atë që kemi arritur. Ne jemi evropianë, por ende ekzistojnë shumë paragjykime kundër nesh.

Der SPIEGEL: Ngjashëm, jorealiste është edhe shpresa juaj se Serbia mund t’i njohë krimet e saja si gjenocid.

Hashim Thaçi: 13. 000 të vdekur, 400 masakra, 20. 000 përdhunime, 1.300 fëmijë të vdekur, dhe Serbia është fajtore për nisjen e këtij gjenocidi të planifikuar në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare, gjykata në Hagë, ka dështuar në rastin e Serbisë. Kjo është arsyeja pse Beogradi ende mund t’i mohojë këto krime.

Der SPIEGEL: Por jo vetëm midis dy shteteve të Serbisë dhe Kosovës është marrëdhënia e vështirë, por edhe midis qytetarëve serbë dhe atyre shqiptarë në vendin tuaj ka ende tensione të rënda.

Hashim Thaçi: Duhet të bëjmë dallime midis serbëve dhe serbëve në Kosovë. Kam punuar me ta për një kohë të gjatë dhe atë në mënyrë shumë konstruktive. Shumica e tyre duan të jetojnë në paqe të integruar në shoqërinë e Kosovës. Por disa prej tyre janë instrumentalizuar nga Beogradi. Ata janë nën presion, shumë kanë edhe frikë. Këtu BE-ja duhet të marrë një qëndrim shumë më të qartë.

Der SPIEGEL: Por serbët janë ende të rrezikuar në Kosovë. Autobusët e shkollave hedhen me gurë, kishat ortodokse duhet të ruhen nga trupat ndërkombëtare. Kur do të ndalet kjo?

Hashim Thaçi: Nuk ka incidente të këtilla. E përsëris, serbët në Kosovë janë të integruar. Ata kanë shkollat e tyre, kopshtet e tyre. Ata mund të lëvizin lirshëm. Shumë prej tyre madje më kanë votuar mua. Fqinjët e mi janë serbë, vetëm një mur na ndan. Nëse ndodh diçka, atëherë ato janë incidente të izoluara. Unë i dënoj ato.

Der SPIEGEL: Por a nuk duhet edhe pala shqiptare ta pranojë fajin në mënyrë që të fillojë procesi i pajtimit? Edhe UÇK-ja, të cilës i përkisnit, ka kryer krime.

Hashim Thaçi: UÇK-ja ishte një ushtri që luftonte për liri, nuk bënte krime. Nëse ka pasur shkelës individualë, ata duhet – dhe kjo po ndodh – të gjykohen nga gjyqësori kosovar. Por kjo nuk është asgjë në krahasim me atë që kanë bërë serbët.

Der SPIEGEL: Serbët kanë bërë pra gjenocid, UÇK-ja nuk ka kryer krime. Duket se është ende një rrugë e gjatë drejt pajtimit. Çfarë duhet të bëjë Evropa për të siguruar paqen?

Hashim Thaçi: Ne jemi viktima të faktit që Evropa nuk flet me një zë të vetëm. Unë nuk shoh ndonjë vizion serioz për Ballkanin Perëndimor.

Lajm i mirë për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas samitit të Berlinit, ka zhvilluar një takim edhe me ministrin e Brendshëm gjerman.

Pas përfundimit të takimit Haradinaj ka darë edhe një lajm mjaft të bukur ku Gjermania mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Pas takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, morëm “Po”-në e Gjermanisë për liberalizimin e vizave.

Faleminderit Kancelares Merkel dhe shtetit Gjerman për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës.” – shkruan Haradinaj në Facebook.

Danke Deutschland! 🇩🇪Pas takimit me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, morëm “Po”-në e…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Mardi 30 avril 2019
Skip to toolbar