Të hënën, kandidatët për kryeprokuror. Emrat në garë

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të mblidhet ditën e hënë, ku do të miratojë listën e kandidatëve për Prokurorin e ri të Përgjithshëm.

KLP ka njoftuar se mbledhja do të nisë në orën 12:00. Të pranishëm në këtë seancë do të jenë përfaqësues të EURALIUS, OPDAT dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Aktualisht në postin e kryeprokurorit është Arta Marku, e cila ka aplikuar për të kandiduar sërish.

Ndërsa në garë janë edhe Lulzim Alushaj, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela.

Olsian Çela mbahet mend si prokurori që çoi në qeli dy kolumbianë dhe ish-nipin e diktatorit Enver Hoxha, në atë që njihet si dosja “Xibraka”. Çështja përfshiu edhe shumë emra të tjerë si të implikuar në përpunimin dhe trafikimin e heroinës në territorin shqiptar. Çela u vlerësua me notën maksimale nga komisioni i vetting-ut në dy shkallët e tij.

Fatjona Memçaj përfundoi shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në universitetin Middlesex Londër. Njihet si prokurorja që dënoi në Apel Kastriot Ismailin. Gjithashtu, ajo njihet dhe si një nga prokuroret e përkrahura nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Lektorja i kaloi dy shkallët e vetting-ut me sukses, pa u kapur në shkelje pas hetimit të 5 çështjeve dhe pasurisë së vënë ndër vite.

Emri i avokatit Lulzim Alushaj është një prej atyre që lakohet fort në qarqe të Drejtësisë. Alushaj 14 vite më parë arriti të marrë titullin profesional “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Itali, ndërsa mban edhe gradën doktor i shkencave juridike, kualifikim të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në Napoli të Italisë.

Por që të katërt në garë do të merren në shqyrtim nga KLP që do të bëjë vlerësimin e tyre, duke i dhënë fund kohës së prokurores së përkohshme, Arta Marku, e cila ka qenë në qendër të akuzave të opozitës, me pretendimin se ajo është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës.

Pas vlerësimit të kandidatëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i paraqet Kuvendit të Shqipërisë propozimin për të emëruar si Prokuror të Përgjithshëm kandidatët e renditur sipas listës. Propozimi përfshin vendimin e arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë./realstory.al



Skip to toolbar