Baze: Pse SPAK po i shqetëson të gjithë! 

Më të fundit


Për të gjithë ata që dyshuan se reforma në drejtësi do të ishte një instrument në duart e pushtetit për të kontrolluar drejtësinë, dita ditës po provohet e kundërta. Reforma në drejtësi jo vetëm që ja ka hequr pushtetit politik kontrollin mbi drejtësinë, por e ka kthyer atë në objekt të punës së drejtësisë. 

Me arrestimet e sotme për koncesionin e sterilizimit, SPAK ka kompletuar një panoramë thuajse të plotë të hetimit, të çdo përfolje publike të qeverisë. Shqipëria ka aktualisht të dënuar një ish- ministër të Brendshëm, atë të mjedisit, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave, ka nën hetim thuajse gjithë ministrat e Financave, të Shëndetësisë, Energjitikës dhe me gjasa mund të shkojë dhe më tej.


Asnjëherë në historinë e Shqipërisë, ndonjë qeveri nuk është hetuar në çdo qelizë të saj, se sa qeveria që votoi reformën në drejtësi në këtë vend.

Në këto kushte opozita e dyshes Berisha- Meta, e cila ka qenë hezituesja dhe opozitarja më e madhe e kësaj reforme, sot duhet ta përshëndeste dhe ndoshta të reflektonte, duke kërkuar ndjesë për gjithë baltën që kanë hedhur mbi SPAK dhe reformën në drejtësi.

Interesante është se sot Sali Berisha në daljet e tij të përditshme jo vetëm që nuk përshëndeti SPAK në këtë operacion, por kishte hallin se mos i ishte mërzitur Ilir Meta për kullën, dhe e mori atë në mbrojtje, duke akuzuar McGonigalin, se ka dashur ta hetojë privatisht për atentatin e supozuar ndaj Tom Doshit.

Vet ilir Meta po ahstu, të cilit i ka përfunduar në burg, një ish- zëvendësministër i LSI, në qeverinë Rama dhe Berisha, nuk donte as t’ia dëgjonte emrin ish- zyrtarit të tij.

E vërteta është se përveç hetimeve të thelluara, SPAK është përpjekur të bëjë dhe një lloj spektakli me hetimet mbi qeverinë, duke i ekspozuar të hetuarit të gjithë para shtypit, madje dhe ata që thirren për pyetje në SPAK për çështje banale, ndërkohë që askush nuk është njoftuar kur është marrë në pyetje dhëndri i Sali Berishës për klubin “Partizani” apo djali i tij për dyshimet për pastrim paresh tek kompania e boronicave, që për ironi të fatit është po në Gërdec.

Kjo tregon një lloj kompleksi që SPAK ka nga sulmet e Berishës, por kjo nuk është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është që ata t’i përfundojnë dosjet ndaj djalit të tij dhe dhëndrit të tij (vajzës së tij), ashtu siç po çojnë në gjykatë çdo dosje që ka lidhje me qeverinë.

Është kjo arsyeja që edhe pse deri më sot të gjitha goditjet i ka marrë qeveria, opozita e dyshes Berisha- Meta jo vetëm që nuk ndjehet e lumtur nga reforma, por vazhdon të sulmojë SPAK. 

Është e vërtetë se ofensiva e SPAK me arrestimet e pafundme të zyrtarëve, ka ngjallur një ndjenjë shqetësimi të gjerë në gjithë klasën politike, duke e konsideruar atë si një lloj goditje për imponim të ndryshimeve politike përmes drejtësisë. 

Dhe më së miri kjo vërehet tek mënyra se si opozita e Berishës dhe Metës sulmon qeverinë për goditjet që po merr nga drejtësia. Në vend që të sulmojnë qeverinë që po ndëshkohet nga drejtësia, Berisha dhe Meta sulmojnë Edi Ramën që nuk u del zot njerëzve të tij që po shkojnë para drejtësisë. 

Pra ata po në vend të bëhen aleatë të drejtësisë, ftojnë Edi Ramën të bëhet aleat i tyre kundër drejtësisë. 

Kjo është shenja e qartë ata nuk i kënaq ndëshkimi i qeverisë, por i shqetëson funksionimi i drejtësisë.

Sa më shumë SPAK godet qeverinë, aq më shumë tremben të gjithë ata që kuptojnë se ai është i pakontrollueshëm nga palët. Dhe kjo i bën të duken të palumtur, njësoj si këta që po përballen me drejtësinë.




Skip to toolbar