Hasani takohet me Thaçin në Hagë: Mbështetja e Shqipërisë, në çdo rast dhe për çdo gjë

AKTUALITET


Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani është takuar në Hagë me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Hasani shprehet se Thaçi ishte në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur që e drejta do të triumfojë.


Ministri i Jashtëm i ka përcjellë Thaçit urimet më të mira të drejtuesve të qeverisë dhe shtetit shqiptar si dhe e ka siguruar për mbështetjen e vendit tonë.

“I përcolla zotit Thaçi urimet më të mira të drejtuesve më të lartë të qeverisë dhe të shtetit, të Kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve  të tjerë, si dhe sigurinë që, ashtu si më parë, mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë. Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet, as sakrificat e bijve të tij, ashtu si dje në luftë edhe sot në paqe. E informova presidentin për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, por edhe ato në rajon, si dhe përpjekjet e pa kursyera nga ana jonë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin. Diplomacia shqiptare, ashtu si dhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces gjyqësor të hapur e transparent, në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare. Një mbresë e  pashlyeshme për mua si ministër i jashtëm i Republikës së Shqipërisë, por edhe por edhe si qytetar dhe admirues i përpjekjes së Hashim Thaçit dhe të gjithë atyre burrave, që janë brenda në këtë gjykatë për lirinë e Kosovës”, tha Hasani.Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po përballen me akuza të renda në Gjykatën Speciale për krime të kryera gjatë luftës, të cilat ata i kanë mohuar me forcë.




Skip to toolbar