Leje legalizimi me dokumente false, në pranga ekonomisti i kadastrës së Durrësit, 2 të tjerë në kërkim

AKTUALITET


Policia e Durrësit ka vënë në pranga të shtunën ekonomistin e kadastrës së këtij qyteti, ndërsa ka shpallur në kërkim zëvendës drejtorin dhe një specialist në institucionit, pasi akuzohen se shpërndanin leje legalizimi me dokumente false.

Policia njofton se arrestimi është bërë pas kryerjes së një hetimi disa mujor, në kuadër të goditjes së veprave penale kundër evazionit fiskal në zonat turistike. Këta persona kanë pajisur me leje legalizimi duke falsifikuar dokumentat dy shtetas për një sipërfaqe 123 metra katror dhe truall 500 metra katror në zonën e plazhit.


Është ndaluar shtetasi R.K., 27 vjeç, banues në Durrës, me detyrë ekonomist pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës – Durrës.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve me iniciale A.J., 42 vjeç, banues në Durrës, me detyrë Zv/Drejtor pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës – Durrës, si dhe F.R., 28 vjeç, banues në Durrës, me detyrë Specialist pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës – Durrës.

Tre shtetasit e mësipërm janë proceduar për veprat penale “Korrupsioni pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi të detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumentave ” parashikuar në nenet 259, 248 dhe 186/3 të Kodit Penal.

Personat më lart kanë pajisur me leje legalizimi duke falsifikuar dokumentat shtetasit Xh.N., 29 vjeç, banues në Durrës dhe E.S., 39 vjeç, banues në Berat, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale ” Vjedhja me pasoja të rënda” parashikuar në nenin 134/3 të Kodit Penal.




Skip to toolbar