OSBE-ODIHR certifikon 30 qershorin, opozita thërret ‘fitore’

AKTUALITET


Pas publikimit të Raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ka ardhur reagimi i dy forcave politike kryesore opozitare në vend. Për PD dhe LSI, raporti i ODIHR tregon ‘nevojën jetike për zgjedhje të lira’, duke i lexuar përfundimet e vëzhguesve ndërkombëtarë si ‘fitore të opozitës’. Në një koment në rrjetet sociale, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi shprehet se “ODIHR ‘konfirmuar zgjedhjet antikushtetuese të 30 qershorit”.

“Raporti i ODIHR është konfirmim se Shqipëria ka nevojë jetike për zgjedhje të lira e të ndershme. Më shumë se sa një ligj, një vendim, një rregullore, zgjedhjet demokratike janë vullnet politik. Konfirmimi nga ODIHR se votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 qershorit ‘nuk morën në konsideratë interesin e qytetarëve shqiptarë’, është vlerësim që ndihmon forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri. Me konstatimet se votuesit nuk patën mundësi të zgjidhnin, se KQZ dhe Kolegji Zgjedhor shkelën ligjin dhe nuk vepruan në pavarësi, se u shkatërrua besimi i publikut në legjitimitetin e zgjedhjeve, se administratat zgjedhore cenoi besimin e publikut, se në listën e zgjedhsve u konstatuan nënshkrime dukshëm identike që janë prove e votimit me përfaqësim nga të tjerët, ODIHR i vuri vulën paligjshmërisë së 30 qershorit”, shkruan Bardhi.

Nga radhët e LSI ka reaguar nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, sipas të cilit, OSBE/ODIHR ka vënë ‘gishtin në plagë’, duke treguar paligjshmërinë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“OSBE ODIHR ika vënë vulën e turpit votimeve të Edi Ramës. Shqipëria, për shkak të Ramës ka shënuar faqen e zezë, ka mbajtur votime pa ligj, pa rregulla dhe kundër Kushtetutës. Në raport flitet më shumë se çdo koment. Nuk pati legjitimitet në zgjedhje. OSBE vë gishtin mbi pagë. Konstatimet e OSBE thonë se nuk ka pasur liri të qytetarëve për të votuar. OSBE thotë se dekreti i presidentit për 13 tetorin nuk u publikua në Fletoren Zyrtare, edhe pse publikimi i këtij akti është i detyrueshëm me ligj. Të gjithë kopukët e pushtetit nuk njohin as ligj dhe as Kushtetutë. OSBE shprehet gjithashtu se ka pasur zona kur ka pasur një kandidat. Edhe në zgjedhje që kanë qenë veç vetë, kanë numëruar vetë dhe prapë kanë vjedhur”, është shprehur Vasili.

Por, me gjithë parregullsitë që cilëson raporti në zgjedhjet e 30 qershorit, ODIHR në rekomandimet kryesore të tij shtron nevojën për reformimin e sistmeti zgjedhor. Në këtë drejtim, opozita ende nuk ka është shprehur nëse do të bashkëpunojë, pasi ka marrë ftesë zyrtare nga mazhoranca për të bashkëpunuar. Pra, ndonëse i konsideron si ‘fitore’ gjetjet e raportit të ODIHR, opozita nuk thotë asnjë fjalë për rekomandimet e tij kryesore, dhe konkretisht, reformimin e sistemit zgjedhor. Gjithashtu, raporti i ODIHR, konfirmon zgjedhjet e 30 qershorit si të ligjshme, pra, rrëzon pretendimin e opozitës së zgjedhjet kanë rënë. Por edhe pse pas 30 qershorit opozita ka mbetur pa asnjë pushtet, opozita e quan fitore raportin e ODIHR, që në fakt rekomandon bashkëpunim për përmirësimin e sistemit zgjedhor, gjë të cilën në fakt, e ka thënë në çdo palë zgjedhje që ka vëzhguar. 



Skip to toolbar