Murrizi shpërthen ndaj Bashës: Berisha ta tha “Nuk bëhesh lider pa fituar zgjedhje”

AKTUALITET


Më i ashpër së të gjithë zërat e lëvizjes “Basha ik” është deputeti Myslim Murrizi. Përmes një analize të gjatë ku sulmon hapur Bashën dhe vendimet e tij, Murrizi konfirmon atë që realstory e ka shkruar më herët se përtej lëvizjes Basha Ik, ekziston një krisje e marrëdhënieve mes Bashës dhe liderit historik Berisha.

Deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, i cili refuzoi të djegë mandatin e deputetit ka shpërthyer ashpër kundër Bashës dhe retorikës së tij që shpall PD-në fituese me 85% në zgjedhjet ku nuk mori pjesë.


Përmes një analize të gjatë, me titullin “Boll u talle me demokratët zoti Basha”,  Murrizi i publikon Bashës foton me miliarderin Sorros dhe i këshillon që t’i japë fund gënjeshtrave dhe deklaratave tallëse ndaj demokratëve.

Murrizi gjithashtu shkruan se Basha e mori postin e kryetarit të PD-së, me vota të vjedhura dhe tani gënjen çdo ditë demokratët.

“Mos i mashtro më duke i mbajtur me shpresë si laraska me “hallatet” e demit. Foli hapur dhe troç, se halli yt dhe i tufës që të rrethon në verbërinë e servilizmit pragmatist për një kockë pushteti, nuk është i njejtë KURRE me hallin e qytetareve opozitarë të Shqipërisë. I trajton demokratët si figurantë në “ filmat” tuaj të tipit hollivudian, duke i xhiruar para 7 ditësh dhe i shfaq me radhë që t’i shohësh nga plazhet e europës. Z Basha! Së pari dua të kujtoj që nuk je pronar i opozitës e as padrino i PD dhe i demokratëve, por kryetari i 6 në rradhë i Partisë Demokratike prej datës 12 dhjetor 1990.

U zgjodhe kryetar në korrik 2013 pasi PD falë arrogancës dhe hajdutllëkut të atyre 316 vetave që ke emëruar në këshillin kombëtar dhe 30 të tjerëve që mender i quan anëtare kryesie, e rreth 500 individeve anonimë që erdhën nga g… i sëmës pa asnjë kontribut në 15 vite PD”, shkruan Murrizi, i cili e kryqëzon Bashën me akuza duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor për shkatërrimin e degëve të PD-së.

“Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, ku të gjitha kandidaturat i vendose Ti, fillove të prishësh degët duke shkarkuar kryetarët që për herë të parë ishin zgjedhur me vote. Bere partinë sipas ndarjes së 61 bashkive të Ramës. Fillove të presësh degën ku ishe ulur vetë duke menduar që dega do bjerë, ndërsa ti do rrish në ajër sepse ajër komplet ke ardhë në krye të PD”, shkruan Murrizi.

Ai akuzon Bashën më tej se ka mbajtur peng reformën zgjedhore për shkak se ka frikë nga vota e shqiptarëve.

“Ti njëlloj si rama nuk e do ndryshimin e sistemit zgjedhor, se ke frikë si dreqi votën e qytetarëve. Kur unë dhe disa kolegë deputetë kërkonim diskutim për sistemin, ti dhe spurdhjakët kopil të reformës zverdheshit sikur ju kapte apendesiti”, shkruan Murrizi.


Ai gjithashtu tall Bashën për fitoren plebishitare prej 85 në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Po meqenëse paske fituar Ti mbi 85 përqind më date 30 qershor  atëherë për çfarë vjen vërdallë si P…. nëpër brekë duke bërë “ xhirime” që shfaqen nëpër tv si telenovela e Ezelit????

Që lajmi të humbi nga lajmi, menjëherë pasi fale 61 bashki Rames, deklarove se PD nuk ka pushim por do vazhdojmë proçesin e organizimit dhe protesta.

Po për çfarë mund të protestojë një “ fitues” plebishitare me 85%????”, shkruan Murrizi, i cili më tej i bën apel Bashës që të mos gënjejë më demokratët por të nisë punën për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Prandaj boll mashtrove dhe boll u talle prej 6 vitesh me demokratët. Nuk bëhesh lider pa fituar njëherë zgjedhjet,- të ka thënë Berisha në mbledhje. E unë, por jo vetëm, po të them që: Nuk fitohen zgjedhjet kurrë duke shitur bashkëpunëtoret dhe duke graduar shërbëtorët.  Nuk mund të shesësh për tolerancë, kompleksin e frikës që ke ndaj atyre që të kanë sharë me libër shpie non stop, dhe i emërove antarë kryesie, pa patur asnjë votë. Partia Demokratike vjen në pushtet vetëm me lista të hapura dhe sistem mazhoritar”, shkruan Murrizi. Sipas tij nëse Basha nuk i merr këto masa i mbetet vetëm të rrëzojë qeverinë me statuse nga facebooku sepse edhe 15 kryetarët e bashkive që kishte i ikën “një nga një si keca”.

Analiza e Murrizit konfirmon atë që Realstory e ka shkruar më herët që ka një krisje të marrëdhënieve mes Bashës dhe Berishës. Kjo duket edhe në qëndrimet e fundit të ish kryeministrit Berisha i cili ka qëndruar në heshtje dhe nuk është përfshirë duke e lënë Bashën të merret vetë me dështimin e aksionit opozitare. Realstory ka paralajmëruar nisjen në shtator të lëvizjes Basha ik, ku mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë Berisha./Realstory.al




Skip to toolbar